Qendër operacionale me teknologjinë më të fundit për Emergency Response Albania

12.12.2017

Në përvjetorin e 5-të Emergency Response Albania merr mbështetje nga qeveria e Zvicrës për një qendër të re operacionesh dhe ambulancë të re për akses më të shpejtë në shërbimet e shpëtimit të jetës  

Staff at the Emergency Response Albania with Mayor of Tirana Erion Veliaj and Swiss Ambassador Christoph Graf.
Stafi tek Emergency Response Albania me Kryetarin e Bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe Ambasadorin zviceran Christoph Graf. ©

Një qendër e re operacionesh u përurua sot tek Emergency Response Albania – një qendër që trajton situata emergjence dhe aksidente në nivel para-spitalor. Pajisje radio të teknologjisë së lartë dhe një ambulancë e re e pajisur me teknologjinë më të fundit janë tani pjesë e shërbimit të ERA-s. Ambasadori zviceran përuroi investimin e ri ndërsa Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj shpalosi simbolikisht emblemën e Bashkisës së Tiranës të printuar mbi ambulancën e re.

“Jam i gëzuar që ky fondacion privat po siguron një shërbim jetësor me standarde të larta zvicerane për situatat e emergjencës në Shqipëri”, tha Ambasadori zviceran Christoph Graf. Ambasada e Zvicrës dha 43,000 Euro për qendrën e re të operacioneve e cila mundëson komunikim më të shpejtë dhe më të mirë midis ERA dhe spitaleve apo klinikave. “Ajo që shohim këtu sot është teknologji e klasit më të lartë – e njëjta që përdoret edhe në qytete zvicerane”, shtoi Ambasadori Graf.

Kryebashkiaku Veliaj lëvdoi modelin e ngritur nga Fondacioni Zviceran për Inovacion si një shembull i dhënies së ndihmës pa pritur diçka në kthim. “Kjo qendër nuk ka thjesht infrastrukturën por ajo sjell gjithashtu një kulturë të re, atë të dhënies dhe të ndihmës e cila është diçka për të cilën vendi ynë ka tepër nevojë”, tha Veliaj në fjalën përshëndetëse.

Christian Vögeli i cili udhëheq Fondacionin Zviceran për Inovacion dhe që themeloi Emergency Response Albania tha: “ERA, si një shërbim mbështetës, ka një bashkëpunim të shkëlqyer me strukturat shtetërore si në kujdesin shëndetësor dhe ne polici apo zjarrfikës. Është e mahnitshme kur sheh të rinj shqiptarë profesionistë të shëndetësisë të cilët zgjedhin jo të emigrojnë por në vend të kësaj të përkushtohen ndaj shpëtimit të jetëve duke u angazhuar me ERA”.

Më pas u krye një tur i ambienteve dhe një simulim i thirrjeve të emergjencës për të treguar kohën e shkurtër që kërkohet për të dërguar një ambulancë të ERA-s për në destinacion.  

Emergency Response Albania u ngrit në 2012 nga Fondacioni Zviceran për Inovacion me qëllim që të ofrojë shërbime të emergjencës të klasit më të lartë për rastet e aksidenteve dhe situatave me kërcënim për jetën. Ajo synon të fuqizojë dhe të përmirësojë shërbimet e emergjencës mjekësore në Shqipëri dhe të shpëtojë jetë në raste sëmundjesh, plagosjesh apo fatkeqësish.

Stafi është me kualifikim të lartë dhe trajnohet dhe përditëson njohuritë vazhdimisht përmes ekspertizës nga SHBA, Zvicra dhe Gjermania. Stafi i urgjencës së ERA-s është në gatishmëri 24 orë në 7 ditë të javës dhe mbulon zonën e gjerë të Tiranës. Flota aktuale e ERA-s ka pajisje dhe instrumente shumë cilësore të cilat janë të dobishme në rastet e emergjencave.  

ERA e ofron shërbimin për shpëtimin e jetëve për të gjithë dhe falas bazuar në dhurime vullnetare. Fondacioni Zviceran për Inovacion është një organizatë jo-fitimprurëse e cila implementon aktivitete që nga viti 1991.